Jam lindur në Tiranë, në një familje të thjeshtë nëpunësi. Në vitet e para, kam qenë fëmijë i urtë e i tërhequr. Fillova studimet në klasën e parë të shkollës 11 vjecare “Qemal Stafa”. Aso kohe kjo shkollë realizonte 11 vjet shkollim që përfshinte atë elementar, shtatëvjecar e të mesëm. Pas klasës së parë e deri në klasën e 11 të shkollës së mesme, kam qenë fëmijë i dobët, disi anemik e i ndrojtur. Transformimi nga rosak i shëmtuar në mjellmë, të themi:), ka ndodhur në vitin e fundit të shkollës së mesme. Kam qenë nxënës me rezultate të mira në mësime por me prirje të theksuar në fushën e letërsisë. Kam shkruar që në klasën e parë të fillores poezi, tregime të vogla,humor etj. Të drejtën e studimit që mu dha në 1969 pas mbarimit të maturës, e ndryshova nga letërsi në matematikë pa ndonjë dëshirë të vecantë për këtë të fundit, por vetëm për faktin se ishte hapur dega e Matematikës 5-vjecar.Pozicioni i matematikanit në ndonjë qendër shkencore a industriale në qytet, më dukej shumë më joshës se ai i mësuesit të letërsisë në ndonjë fshat të largët. Ishte koha kur luftohej për një vend në qytet dhe puna e jetesa në fshat gllabëronte vite të tëra të rinisë e periudhës më produktive të jetës. Arrita të fitoj të drejtën e vazhdimit të studimeve në degën e matematikës 5-vjecare, pas vitit të tretë, si rrjedhojë e rezultateve shumë të mira në provimet e viteve të para. Pas mbarimit me rezultate shumë të mira të fakultetit, punova një vit si matematikan në Byronë e Projektimit të Pyjeve në Tiranë (1974-1975) dhe më pas për shkak biografie u transferova në Lushnjë si mësues i matematikës nga viti 1975-1979. Në vitin 1980-1981 punova përsëri si mësues e drejtor shkolle në fshatin e thellë malor Vrap të Tiranës. Nga viti 1981-1982 kreva kursin e psikologjisë e pedagogjisë pranë Universitetit të Tiranës. U riktheva sërish në Vrap e më pas në Mullet të Tiranës si mësues e drejtor i shkollës tetëvjecare.
Në 1984 fillova punë si kërkues shkencor në Institutin e Studimeve Pedagogjike në Tiranë ku pata dhe gradimin e parë si shef i sektorit të psikologjisë e pedagogjisë dhe fillova botimin e librave të pare. Kësaj periudhe i takojnë librat “Metodat statistikore në studimet psikologjike”,” Psikologjia e të menduarit të fëmijës”,“Të fshehtat e kujtesës” etj.. Në 1986 mu dha grada shkencore “Kandidat i shkencave psikologjike” e më vonë në 1989-1990 titulli "Doktor i shkencave psikologjike". Ishte një periudhë kur kam përpirë së lexuari libra të tërë psikologjie, jam specializuar në Itali e së fundmi kam arritur në pragkolapsin e komunizmit me një bagazh të madh në këtë fushë. Ndërkohë, njëkohësisht gjatë kësaj kohe,për të mos humbur profesionin e pare të matematikanit, për rreth 5 vjet kam dhënë mësim si lektor i matematikës në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës, (pedagog i jashtëm). Në fillimet e viteve 90 u aktivizova që në fillim në lëvizjen demokratike, shkruajta pa rreshtur në organet e para opozitare RD e Republika, u përfshiva si politikan në kryesinë e një parite opozitare e për rrjedhojë u emërova zv.ministër i arsimit në qeverinë e parë demokratike. Këtu punova nga viti 1992-1994.Gjatë kësaj kohe vazhdova mësimdhënien në Universitet dhe në vitin 1993 mora edhe titullin e profesorit.
Në vitin 1994 fitova pas konkurimit, bursën qeveritare amerikane Humphrey, pjesë e Fulbright Scholarship Program dhe shkova për studime në Boston-Sh.B.A, ku qëndrova deri në vitin 1996. U ktheva nga Sh.B.A me diplomën pasuniversitare të firmosur edhe nga presidenti Bill Klinton dhe qëndrova 5 muaj pa punë, ish- zv.ministër me gradën e doktorit e titullin e profesorit. Në 1996 fillova punën si pedagog i thjeshtë në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Vazhdova si lektor deri në fund të vitit 1999 e ndërkohë shkrova librat “Amerika”, Psikologji Sociale”, “Edukimi qytetar, edukim për demokraci”, etj. Në të njëjtën kohë u zgjodha nga Parlamenti shqiptar dhe punova njëkohësisht edhe si Kryetar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar. Ndërkohë u propozova nga stafi i fakultetit për tu zgjedhur dekan dhe u zgjodha i tillë në dhjetor 1999. Në vitin 2002 u rizgjodha për herë të dytë dekan nga stafi i fakuletetit dhe gjithashtu vazhdova aktivitetin politik në shtypin e ditës, deri në mars 2003 kur në garazhin e shtëpisë time u vu një bombë që shpërtheu në këmbët e mia dhe desh më mori jetën. Pas një operacioni tre orësh u nxorrën një pjesë e ciflave nga trupi im dhe mbijetova. Kam ende në trup dhjetra copë të tilla. Gjatë kohës së punës time si dekan mu propozua nga presidenti i Republikës i asaj kohe pozicioni i këshilltarit politik me kohë pune të plotë, pozicion që nuk e pranova. Vazhdova punën time si dekan dhe si këshilltar me kohë të pjesshme i presidentit. Në vitin 2005 kandidova nën siglën e Partisë Demokratike në Zonën Elektorale 38 të Tiranës, dhe fitova kundër kandidatit më të fuqishëm të Partisë Socialiste, Ministrit të Financave të asaj kohe, Anastas Angjeli.U zgjodha kështu deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe punova si i tillë dhe si nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Medias e Edukimit deri në Mars të vitit 2007. Në këtë muaj u emërova Ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Punët e kryera në drejtimin e kësaj Ministrie mund të shihen bashkangjitur.
Ne vitin 2010, emerohem Drejtor i Agjensise se Kerkimit Shkencor, Teknologjise dhe Inovacionit (AKTI-shqip) (ARTI-english). Brenda vitit agjensia u be pjese e network-ut europian te agjensive homologe dhe ne vitin 2011 ne progres-raportin e Komisionit Europian per Shqiperine agjensia u vleresua pozitivisht si institucion per punen e kryer. Ne vitin 2013, pas zgjedhjeve parlamentare dhe ndryshimeve politike dhe qeveritare, pushohem nga puna ne menyre te pamotivuar. Nga viti 2013 e deri ne Janar te vitit 2018 kam dhene mesim si lektor ne UET, ne universitetin e Elbasanit, kolegji Dardania, Prishtine dhe kam udhehequr 6 kandidate doktorante per marrjen e grades Doktor i Shkencave.
Nga Shkurti i vitit 2018, pas aplikimit individual jam Ekspert i Komisionit Europian per vleresimin e projekteve ne fushat e Kultures, Trashegimise Kulturore, Medias, Rinise, Arsimit te larte dhe Shkences.