Njerëzit janë të predispozuar të kujtojnë vetëm të këqijat. Të mirat i harrojnë shpejt, por unë kam pasur dhe kam njerëz që më vlerësojnë e më mbështesin”, thotë ai teksa na rrëfen me detaje jetën e tij. Kur kujton vitet e rinisë dhe adoleshencës në Tiranë, Ylli Pango mallëngjehet. Ka dëshirë të tregojë më shumë, por faqet e gazetës nuk mjaftojnë, ndaj ka vendosur t’i ‘zbrazë’ të gjitha në një libër. Ish-ministri i Kulturës e donte shumë letërsinë që në vegjëli, por nuk e zgjodhi si degë nga frika se mos bëhej mësues. Por fati deshi që rininë e tij ta kalonte si mësues matematike nga një fshat në tjetrin. U dashurua herët me psikologjinë, ende pa mundur të lexojë libra të mirëfilltë. Thotë se jeta e tij ka pasur shumë rënie, por ai gjithmonë ka ditur të ngrihet, pa ndjerë nevojën e dikujt në krah. Është martuar dhe është ndarë shpejt... Ka punuar shumë dhe vazhdon të përkushtohet me të njëjtën dëshirë. Kjo është jeta e Ylli Pangos. Ku keni lindur dhe ku e keni jetuar fëmijërinë tuaj? Unë kam lindur në Tiranë dhe jam rritur në një lagje që njihet me emrin “Zogu i zi”, që është hyrja e Tiranës. Në kohën e fëmijërisë sime Tirana ka qenë shumë më e vogël dhe lagjia ime ka qenë një zonë që përfaqësonte një lloj autoktonie. Duket pak e çuditshme, por mbaj mend që në ato kohë, kemi kaluar ca periudha edhe me kandil, pra nuk kishte drita. Përgjithësisht ka qenë lagje punëtorësh. Unë dhe një shoku im i ngushtë që edhe sot e kam mik, Maksim Konini, kemi qenë ndër të paktët në atë lagje që mbaruam shkollën e lartë. Kur dilnim në lagje na thërrisnin “o doktor” dhe kur u thonim nuk kem mbaruar për mjekësi, na thoshin: “Po çfarë pra? O doktor o inxhinier, çfarë tjetër ka në universitet?”. Ne shkruanim në blloqe të vogla histori për lagjen, histori të sajuara, për veten e shokët e klasës... dhe gjithnjë i kemi premtuar njeri-tjetrit që kur të rriteshim, t’i hidhnim të gjitha në një roman. Por ende s’e kemi shkruar. Na quanin “filozofi” e “dijetari”. Ishte lagje e varfër dhe përgjithësisht e paarsimuar.... Edhe familja juaj ishte e varfër? Familja ime ishte e shtresës së mesme, e nëpunësit të mesëm. Im atë rreth të 40-ave, pra shumë herët, e nxorën në pension nga ushtria për arsye biografie dhe punoi në një nga lokalet e vogla të lagjes. Mbante llogarinë e lokalit, sepse nuk kishte më mundësira të tjera. Ime më në të shumtën e kohës nuk punonte. Kisha vetëm një motër. Ishim një familje që vetëm me rrogën e tim eti e nxirrnim jetën në atë kohë. Prirja e parë që më mbetet dhe sot, që unë e kam ndjerë, por edhe ma kanë vënë në dukje që herët, ka qenë letërsia, të shkruarit. Më vonë edhe të folurit (qesh). Shkollën fillore e kam filluar tek “Qemal Stafa” dhe po aty kam mbaruar edhe të mesmen. Në atë kohë ishe 11 vjet në të njëjtën shkollë. Më kujtohet që në klasë të parë kam bërë disa vargje të thjeshta. Mësuesja m’i lexoi para klasës. Ju kujtohen vargjet? I kushtoheshin partisë? (Qesh). Jo, jo nuk ishin për partinë. Kisha lexuar në klasë të parë për herë të parë një libër: një dramë të Sulejman Pitarkës, që atëherë ishte aktor shumë i njohur, por edhe shkruante drama. E kishim komshi. U ndikova shumë nga leximi i asaj drame dhe shkrova vargjet e mia të para për shqiptarët si popull, që gjithmonë kanë luftuar për të mbrojtur vendin. Të them të drejtën, nuk kam pasur ndonjë fëmijëri shumë të gëzueshme, por me shokun e ngushtë lexonim shumë dhe përpiqeshim t’i përjetonim gjërat si në libra, si aventura, si drama, si fantazi. Dhe i shkruanim e u a lexonim bashkëmoshatarëve, që shpesh nuk na kuptonin. Adoleshenca... Deri në vitin e tretë të gjimnazit nuk kam pasur një trup të shëndetshëm. Kam qenë i hollë e i dobët. Adoleshencën e kam përjetuar me një lloj kompleksi inferioriteti. Më kujtohet që për veten time parashikoja se kur të rritesha do të isha qorr, sepse në klasë të parë e të dytë kam mbajtur syze miopi. Veç kësaj e përfytyroja veten të dobët dhe pa flokë, sepse babait tim i kishin rënë flokët shpejt. Pra, e përfytyroja veten fizikisht nën një dritë shumë pesimiste. Pastaj pësova një transformim që më kujton përrallën e Andersen, rosaku i shëmtuar që u shndërrua në mjellmë... të themi (qesh). Kjo ndodhi në vitin e katërt të shkollës së mesme. Fillova të vija një çikë mish (po e them popullorçe) dhe kur shkova në plazh në Durrës vura re që nuk isha dhe aq keq dhe kjo më dha edhe një lloj stimuli pozitiv edhe nga ana psikologjike. Po në raport me njerëzit, apo me vajzat ndryshuat sjellje? Në fakt, kur fillon transformohesh fizikisht dhe kupton që fillon të tërheqësh disi vëmendje, padyshim që fillon të ndihesh më mirë edhe nga ana psikologjike. Fillon të kesh raporte më të guximshme, por fillon edhe të burrërohesh. Duke kaluar nga kompleksi i inferioritetit në një pamje disi të mirë, ndoshta për vetëmbrojtje, krijova një aparencë disi prej mendjemadhi, që më ka dëmtuar shumë më vonë në raport me njerëzit Si ishte Tirana në adoleshencën tuaj? Tirana në periudhën që unë fillova të marr veten, ishte një Tiranë që një i huaj e ka karakterizuar qytet me një qendër, një shesh të madh me një polic që drejton një trafik imagjinar. Ishte qytet i qetë, i gjelbëruar, shumë më ekologjik, por edhe shumë më i pazhvilluar. Përfaqësonte një pjesë të Europës që s’kishte pikë lidhje me Europën. Një qytet e një vend, që për shkak të sistemit e të izolimit ishte krejtësisht jashtë temporitmit të zhvillimeve të kohës në botë. Ishin vitet ‘60... Po rinia e Tiranës si ishte? Çfarë quhej trend atëherë? Kjo është një nga temat që mua më ka bërë shumë për të qeshur kur kam dëgjuar ta trajtojë një drejtues emisionesh mjaft i njohur, që nuk kish lindur në atë kohë e që s’dua t’ia them emrin. Në një emision ai ka thënë që dikur dashuria e kënaqësia merrej duke u parë djemtë e vajzat në xhiro. Kjo ka bërë për të qeshur edhe shumë bashkëmoshatarë të mi, sepse e ka çuar në ekstrem mosnjohjen. Natyrisht, kishte shkëmbime vështrimesh në xhiro e fillime njohjesh, por dashuria e kënaqësia ishin si sot e si në të gjitha kohërat në thelb. Ua them edhe studentëve, që njerëzit në të gjitha kohërat ato ç’ka janë bazike për jetën njerëzore i kanë bërë njëlloj. Kuptohet që format pastaj ndryshojnë. Me humor u thosha vazhdimisht studentëve të mi, “mos mendoni se me ju fillon njerëzimi”. Ndryshimet e mëdha janë shumë të vogla. Në thelb njerëzit përsërisin vetveten, padyshim duke progresuar ngadalë. Po të shikojmë shprehjet e pozicionet e dashurisë apo të seksit në vazot e lashta greke. Do të shikoni aty të gjitha llojet e raporteve e pozicioneve, madje më shumë, që duken sikur njerëzit i kanë shpikur sot. Në të vërtetë jo. Që në atë kohë, orgjitë e madha, shfrenimet e lloj-lloj raportesh njerëzit i kanë njohur shumë mirë. Në rininë tonë edhe pse diskot nuk ekzistonin si koncept, festat bëheshin nëpër bodrumet e shtëpive, ose në shtëpitë ku prindërit kanë qenë më liberalë. Sigurisht që magnetofoni ishte kryesori, por gjithçka bëhej thuajse si sot. Edhe lidhjet e dashurisë ishin si sot, apo ishin të fshehura, të ndaluara? (Qesh) Absolutisht. Lidhjet ishin krejtësisht normale si dhe sot. Të dashuruarit dilnin me njëri-tjetrin si dhe sot. Natyrisht kur pengonte ndonjë vëlla i madh a baba konservator kishte edhe takime fshehurazi, nga liqeni, nëpër shtëpi shokësh etj. Por ka pasur raste, duke qenë se i tillë ishte sistemi që synonte të ashtuquajturin moral proletar, që bëheshin martesa me zor. Kështu për shembull në Uzinën “Traktori”, drejtor ka qenë një ish-anëtar i byrosë politike, i quajtur edhe “xha Pilo”,i cili kur kapte një punëtor me një punëtore në ndonjë skutë, i martonte me urdhër direkt. Kjo mbahet mend edhe si “Funny story”, por këto janë raste të veçanta, në bazë të të cilave nuk mund të përgjithësosh. Njohjet me vajzat mund të ishin rastësore, në shkollë, në punë apo në rrugë... Ka pasur dashuri dhe variacion të të gjitha llojeve. Edhe homoseksualë kishte? Ah jo, homoseksualizmi ka qenë i papranueshëm. Një apo dy homoseksualë në atë kohë ishin shumë të famshëm dhe gjithë Tirana i njihte me emër. Informacion lidhur me këtë kishim, por ishte i vakët. Kultura tradicionale shqiptare dhe konservatorizmi që është i fortë edhe sot, nuk lejonte që dikush të shfaqte këto prirje e as të pranohej si tillë në shoqëri. Asokohe as nuk mund të bisedohej për të tillë... E kujtoni me mall këtë periudhë apo... Më keni futur në një periudhë kujtimesh vërtetë interesante, që të them të drejtën kam si synim t’i përmbledh në një libër që flet për Tiranën e atyre viteve. Por më parë kam në plan të përfundoj brenda këtij viti një libër me titull “Psikologjia shqiptare”. Kur kam qenë lektor i psikologjisë sociale në universitet, sapo isha kthyer nga studimet në Amerikë dhe botova librin me përshtypje udhëtimi Amerika dhe tekstin “Psikologji Sociale”. Ndjeva që kishte shumë gjëra interesante në psikologjinë sociale, të cilat mund të thuheshin në mënyrë të veçantë për shqiptarët. Për shqiptarët është shkruar pak në këtë aspekt. Mund të citoj Konicën, Nolin, Eqerem Bej Vlorën, deri diku edhe Bernard Fisher me librin e tij për Mbretin Zog, megjithëkëtë ende ka shumë pak informacion. Kam zgjedhur të shkruaj mbi psikologjinë sociale shqiptare, sepse lidhet me të gjitha raportet e shqiptarit me shoqërinë, e shqiptarit me shqiptarin, e shqiptarit me të huajin. Shprehja e emocioneve, komunikimi verbal, qëndrimet, paragjykimet... Të gjitha këto do të përmblidhen në një libër, që po shkon drejt përfundimit. Ka tre muaj që në gazetën “Mapo” botohen në formë shkrimesh pjesë të këtij libri. Iniciativa për ta kthyer në libër këtë cikël ishte dhe e Henri Çilit, i cili ka qenë edhe studenti im. Ai jo vetëm që më ka nxitur, por ka marrë përsipër edhe promovimin. Kam botuar deri më sot 15 libra si “Amerika”, “Psikoterapia”, “Psikologjia e të menduarit të fëmijës”, “VIP”, “Rrënoja”, “Krim”, kryesisht psikologji e letërsi.  Kalojmë pak tek vitet e universitetit? Cilën degë zgjodhët dhe pse? E thashë që prirja ishte letërsia që në vegjëli. Një nga mësuesit e mi të letërsisë, Agim Polovina ngulte këmbë që unë duhet të vazhdoja letërsi. Po në atë kohë, kur mbaroje një degë të tillë mundeshe të bëheshe vetëm mësues. Si mësues zakonisht të dërgonin në një fshat të largët dhe nuk ishte puna që do të bëje letërsi, por do të bëje mësuesin. Mua kjo perspektivë nuk më tërhiqte. Mendoja që letërsinë munda ta bëja edhe duke zgjedhur një degë tjetër. Kur kam parë në një tabelë emrat dhe degët e studimit, e veten që më kishte dalë shkolla për letërsi, jam mërzitur shumë. Megjithëse letërsinë e doja dhe e dua, ngula këmbë për ta ndërruar degën. Tri degët klasike që në atë kohë quheshin privilegj ishin inxhinieria elektrike, mjekësia dhe kimia industriale. Ishin si të thuash profesione prestigji. Mirëpo unë nuk e kisha mundësinë për këto degë dhe ata pak njerëz dhe miq, që njihnim si familje më rekomanduan që unë të shkoja ose në matematikë, ose në fizikë, meqenëse veç degës së mësuesisë aty ishte hapur edhe dega 5-vjeçare. Nëse deri në vit të dytë studenti dilte me rezultate shumë të mira, hynte në degëzimin që quhej matematikë 5-vjeçare dhe bëhej matematikan e jo mësues. Edhe pse nuk kisha ndonjë pasion për matematikën, e pashë si rrugëdalje për të shpëtuar nga mësuesia e thjeshtë. Kështu që dega ime e parë ka qenë matematika. Dola me rezultate të larta vitin e dytë dhe kështu i provova vetes që me vullnet mund të afirmohesha edhe në diçka për të cilën nuk kisha prirje. Mora me rezultate të larta diplomën e matematikanit. Puna juaj e parë cila ishte? Pasi mbarova studimet, fillova punë në Tiranë si matematikan. Ishte i vetmi vit që punova si i tillë në një byro projektimesh. Isha si i përkëdhelur nga ata me të cilët punoja, sepse sapo kisha mbaruar e isha moshë e re... Sa e kishit rrogën? Ishte stazh dhe paguhesha 5 mijë lekë të vjetra. Po atëherë me 5 mijë lekë blije shumë, jo si sot (qesh). Pse punuat vetëm një vit? Sepse në atë vit shpërtheu në maksimum kriza biografike. Unë kisha një krah të dobët nga ana e babait, pasi një djalë xhaxhai e një djalë halle ishin arratisur dhe për këtë arsye babain e nxorën në pension që 40 vjeç. Kisha dhe një kushëri të parë me të njëjtin mbiemër që fliste shumë hapur në radiot greke kundër regjimit. Ndërkohë nga krahu i mamasë që mbahej disi “i shëndoshë” ndodhi që futën edhe dajon tim në burg si i burgosur politik. Im atë ndjesë pastë thoshte: “U bëmë me bronkopneumoni në të dyja anët”. Për këtë arsye përfundova në Lushnjë. Prapë Lushnja s’ishte keq, sepse shkonte dhe treni. Për matematikan s’kishte vend atje, kështu që u bëra mësues. Sa kohë keni qëndruar në Lushnje? Si keni kaluar atje? Katër vjet. Për vitet në Lushnje nuk duhet të qahem, pasi kemi qenë një grup çunash me shoqëri shumë simpatike e të lidhur me njëri-tjetrin. Jetonim të gjithë në një apartament. Pasditeve luanim basketboll. Vajzat e Lushnjes ju pëlqenin? (Qesh) Vajzat e Lushnjes në atë kohë i shikonim me shumë rezervë për arsyen e vetme se secili nga ne donte të transferohej në Tiranë. Ky ishte qëllimi madhor i të gjithëve. Çdo gjë që mund të bëhej, kontrollohej e shikohej dhe ishte një qytet kaq i vogël provincial. Në një pjacë kaq të vogël çdo gjë merrej vesh. Kemi pasur atëherë edhe kërcënime për të na futur në burg jo për vajzat, por për çdo veprim e fjalë që thoshim. Çdo gjë përgjohej. Sot duket çudi, po atëherë dënoheshe edhe për një fjalë goje e quhej agjitacion propagandë. Brezi i sotëm nuk e koncepton, po atëherë kanë hyrë njerëz në burg vetëm sepse kanë thënë “greku bën këpucë të mira” apo “jashtë jetohet më mirë”. Kjo merrej si propagandë që injoronte e denigronte vendin tonë dhe nxirrte në dukje vlerat e kapitalizmit apo borgjezisë. Në Lushnje kaluan katër vjet jo keq, sepse ishte shoqëria e mirë. Atje mësova të jap matematikë. Në Tiranë arritët të transferoheshit? Me dëshirën e jashtëzakonshme për Tiranën, bëra një lloj kapërcimi dhe dokumentet u sollën këtu. Vetëm dokumentet, por Lushnja i lëshoi e Tirana nuk i pranoi. Fatkeqësisht nuk kisha fuqi e as mbështetje dhe kështu filluan vitet e papunësisë. Sa kohë mbetët pa punë? Mbeta dy vjet pa punë dhe më ndërhyrje të jashtëzakonshme më propozuan që të shkoja në fshatin Vrap të Tiranës, i cili në fakt është më afër Elbasanit. Isha mësues matematike në shkollë 8-vjeçare. Nuk do ta besoni, por unë kam shkuar ditën e parë në Vrap shumë i gëzuar. Gëzohesha, sepse quhesha që isha në rrethin e Tiranës. Kjo më jepte shpresën se dikur do të vija në Tiranë, po se kur nuk e dija. Të paktën do vdisja në Tiranë, mendoja (qesh). Shkonim me kamion deri në një fshat që quhet Mustafa Koç, pastaj tre orë me këmbë, ngjitje malore për të mbërritur deri në fshatin Vrap. Keni kaluar ditë të vështira në fshatin e largët? Dhoma e mësuesve që na kishin caktuar për të fjetur nuk kishte dysheme, ishte me dhe. Në drekë gjatë kohës ne jepnim mësim, në krevatin tonë mund të flinin kooperativistë, njerëz që kalonin aty... Atje fshatarët hanin një bukë misri në ngjyrë gri, që ndoshta mund të ishte e përzier edhe me hime. Më kujtohet të hënave kur mbërrija në fshat gjithë djersë pas marshimit, e ulesha për të ngrënë bukën e marrë me vete me pak domate ose djathë, në një pijetore të vogël të fshatit, fshatarët më thoshin në dialekt “E mor msus, e bo nji copë jetë poplli atje n’Tiron, apo jo?. Ç’janë ato ponina qe ha?”. Ponina ata i thoshin panineve, bukë të vogla të bardha 10-lekëshe, por që e ngatërronin me bukën 52-she, që hanim ne se u dukej shumë e bardhë në krahasim me bukën e tyre. Jeta dhe puna në Vrap zgjati rreth dy vjet. Më pas u hap një kurs psikologjie në Tiranë, i pari në Shqipëri ku kërkoheshin vetëm ish-studentë me mesatare të lartë. Me shumë mund arrita të futem në kurs. Pasi e mbarova, sigurisht prisja diçka më të mirë, por nga seksioni i arsimit me cinizëm më thanë se tani me diplomë matematikani e me psikologji do ta bëja Vrapin lule. E shikoni se sa lart ishte pjaca në fshat. Pra, duhet të shkoja prapë në Vrap. U kthyet sërish në Vrap? Jo nuk pranova, domethënë me veten time, e nuk shkova. Këtë ma quajtën braktisje dhe atëherë për braktisje të punës kishte një nen që të dënonte për parazitizëm. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua. Shpesh mendoja edhe të arratisesha si djali i xhaxhait. Jeta ime gjithmonë ka qenë një kombinim ngjitje-rënie. Ndodhi që për fat, miku im i kursit i matematikës, Petrit Gjokutaj, që edhe sot s’ia harroj, kishte një lloj pozicioni nga ku mund të më ndihmonte. Ai ndërhyri për mua që të rifilloja punën këtë herë në një fshat të afërt të Tiranës, në Mullet. Pas një viti në Mullet, po ky shoku im më ndihmoi që të filloja punë në “Institutin e Studimeve Pedagogjike” në vitet ‘85-‘86. Këtu rifilloi jeta ime pas 10 vjet peripecish e papunësish. Një ish-drejtor i këtij instituti kishte marrë një kontingjent librash të mirë psikologjie në Francë. Dhe unë rashë në to si i babëzitur. Për herë të parë lexova Frojdin origjinal, Jungun, Fromin dhe kisha aq frikë se një ditë këto librat mund të na i merrnin ndaj çdo ditë i përktheja e i hidhja në skeda-letra me shkrim të vogël në skeda kartoni etj., për t’i ruajtur. Këto skeda i kam edhe sot. Aty fillova të punoj në fushën e psikologjisë. Kjo ka qenë një periudhë shumë e shëndetshme a e ushqyeshme intelektualisht, siç e quan Falada. Mora shumë bagazh. Aty botova librin “Të fshehtat e kujtesës”, “Psikologjia e të menduarit të fëmijës” etj. Si ndryshoi situata juaj në vitet ‘90? Vitet ‘90 mua më gjetën me një farë emri si psikolog e pedagog, pata dalë edhe në disa emisione televizive. Kisha shkruar dhe isha ekspozuar. Kuptohet që shpërthimi i viteve ‘90 për mua ka qenë një gëzim shumë i madh. U ingranova menjëherë me demokracinë. Shkova në Qytetin Studenti, takova Azem Hajdarin ende i panjohur e Arben Imamin. Kam akoma gjallë dëshmitar Arben Imamin, se kam qenë ndër të parët që kam shkuar në PD dhe kam firmosur për formimin e PD. Hedhja e firmës ishte hapi i parë, pastaj kam folur dhe jam përfshirë me grupin e sapokrijuar. Por pata një shkëputje të papritur, për shkaqe personale... Po jeta juaj personale kishte ndryshuar ndërkohë? Po, ndërkohë isha martuar dhe më kishte lindur djali. Martesa zgjati pak. Sa zgjati martesa? Një vit e gjysmë, gati dy vjet... Periudha kur unë fillova të angazhohesha në Partinë Demokratike, më kapi gjatë kohës së divorcit. Pse u divorcuat nga ish-bashkëshortja? Le të themi që kishim karaktere krejtësisht të ndryshëm. Martesa ka qenë një akt i nxituar për shkak të moshës pak të madhe. Nganjëherë nxitja e familjes dhe e miqve është aq e madhe, sa njeriu nxiton në gjykim. Njeriut i duhet medoemos një kohë për njohje, për reflektim... Megjithëse në thelb martesa është fat. Dikujt i qëllon mirë pa u menduar shumë, ndërkohë që ndodh të mendohesh gjatë e mund të të mos qëllojë mirë. Megjithatë, ne jemi ndarë me mirëkuptim, pa konflikt. Si komentohej në shoqëri një divorc, në Shqipërinë e atyre viteve? Ne kemi bërë ndoshta ndër ndarjet e para me avokat. Kjo, sepse për herë të parë, në fillim të viteve ‘90 u fut në Shqipëri institucioni i avokatit. Jeta pas divorcit... Pastaj filloi një periudhë që unë e quaj më të fuqishmen e më aktiven e jetës sime, e që vazhdon edhe sot. Në këto 23 vite nuk kam pushuar së lëvizuri, së shkruari, së foluri, së botuari, së aktivizuari politikisht, së pësuari goditje nga më të rëndat, së ringrituri... Pra, nuk kam pushuar edhe së pasuri “ups and downs” -e (ulje ngritje) të vazhdueshme... Kam pasur edhe suksese, por edhe goditje. Dua ta them hapur që goditjet ndaj meje kanë qenë totalisht të padrejta. Kanë ardhur për shkak të zilive e ambicieve, urrejtjeve personale, pse jo edhe shkaqeve politike. Nuk dua t’u rikthehem disa gjërave që më dhembin shumë e që janë diskutuar shumë nëpër intervista të tjera. Edhe gazetarët sa herë që unë jap intervista kanë dëshirë të kujtojnë më shumë apo vetëm këto lloj goditjesh dhe shumë pak punët e kryera... Unë nuk kam rënë një herë, por disa herë. Megjithatë gjithmonë jam ringritur, sepse besoj tek vetja ime dhe tek e drejta. Jam i bindur se në të gjitha rastet kundër meje ka pasur poshtërsi të organizuara. Ku u angazhuat për herë të parë në politikë? Në vitin 1992 në sajë të aktivizimeve të mia të punës dhe të emrit që kisha, jam emëruar zëvendësministër i Arsimit në qeverinë e parë demokratike të Aleksandër Meksit. Kam punuar në këtë post deri në vitin 1994, kur arrita të fitoj një bursë për në Universitetin e Bostonit. E kam lënë pa u menduar fare postin e zëvendësministrit, sepse do të shkoja të realizoja një ëndërr të vjetër, pra të ndiqja studimet në Amerikë. Më kujtohet atëherë që kryeministri Meksi tha: “Ç’jeni bërë ca qerratallarë ju zëvendësministrat”. Kjo, sepse në atë kohë ishim tre zëvendësministra që lamë postin e u larguam për studime...
|