Rinia politike; fenomeni i të rinjve në politikë
Prof. Dr. Ylli Pango
Rinia, cilët konsiderohen të tillë në Perëndim e cilët në Lindje. Të rinjtë në psikologjinë moshore perëndimore konsiderohen përgjithësisht ata që mbushin moshën 20 vjeç. Deri në moshat që mbarojnë me “teen” (sixteen, seventeen, eighteen, 16, 17, 18 etj) ata konsiderohen adoleshentë. Në regjimet komuniste sipas modelit të Bashkimit Sovjetik, moshat rinore zinin fill a konsideroheshin ato rreth të 16-ave nisur nga supozimi që të rinjtë piqen shpejt e këto mosha mund të fillonin angazhimin në punë, revolucion, ndërtimin e socializmit, politikë, të bënin heroizma etj. Kriteri i përcaktimit të moshës së adoleshencës sipas mbaresës së moshës me “nadcat, vosemnadcat, semnadcat” etj (gjashtëmbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë, tetëmbëdhjetë) nuk ndiqte modelin perëndimor. Po kështu në Gjermaninë e viteve 1922-1945, adoleshenca 14-18-vjeçare konsiderohej rini dhe u përfshi në organizata rinore politike apo paramilitare të partisë naziste si Hitler-jugend. Ajo ndiqte në mënyrë strikte ideologjinë dhe urdhrat e partisë, u angazhua në politikë, aksione raciste, pogrome e më së fundmi direkt në luftë. Ky retrospeksion mbi dallimet moshore të asaj që quhej a konsiderohej rini, në periudha a vende të ndryshme të botës, vlen sepse lidhet edhe me përfshirjen në politike, a më saktë politizimin e rinisë në periudha të caktuara. Thjesht sepse edhe politizimi e përfshirja në politikë me hir a me pahir në regjimet totalitare, komuniste e fashiste, zinte fill herët sepse u interesonte partive totalitare. Ky angazhim i hershëm në politikë plotësonte nevojat për mish të freskët e më vonë për mish për top në luftërat e mëdha agresive. Por pa dyshim nevoja më e madhe ishte ajo e përjetësimit të pushtetit diktatorial nëpërmjet një rinie të indoktrinuar, që më shumë se cilado grupmoshë a shtresë mund të mbronte aktivisht regjimin e lidershipin totalitar. Këndej zënë fill aksionet rinore fashiste, terroriste, raciste etj., ku rinia me energjinë dhe arrivizmin e saj shquhej ndër të parat. Në vendet komuniste rinia ishte e para që nxitej të ndërmerrte aksionet politike e ato ekonomike. Kështu, tek ne ishte ajo që u indoktrinua a urdhërua të shkatërronte kishat më 1967-ën. Pra të rinjtë konsideroheshin të rritur, të pjekur, të gatshëm për partinë. Rinia politike ka historinë e vet edhe në format e organizimit të saj, në Europën e pasluftës. Kështu në Gjermani u themelua Rinia e Lirë Gjermane si alternativë komuniste ndaj Rinisë Naziste, Hitlerjugend. Në Britani ka patur gjithashtu organizma të fuqishme rinore si Këshilli Britanik Rinor, Parlamenti Rinor Skocez etj. Tek ne ka ekzistuar BRPSH dhe më vonë Eurosocialistët etj. Ndonëse pa pushtet direkt, këto organizata kanë lidhje të ngushtë me partitë, dhe përgjithësisht shfrytëzohen nga partitë për të realizuar objektivat e veta politike.
Në kohërat e sotshme, sidomos në demokracitë perëndimore liberale, organizimi është ndryshe. Ka madje edhe zhvleftësim të organizatave politike rinore dhe në vend të tyre janë krijuar organizata rinore që më shumë angazhohen me probleme që lidhen direkt me jetën e rinisë. Kështu janë formuar organizata të tilla si Shërbimi i Avokatëve për të rinjtë, Organizata Rinore të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve etj. Kësisoj, rinia shumë- shumë impenjohet me angazhime konkrete rinore a probleme që e prekin atë direkt, sesa drejtpërsëdrejti me politikë. Kjo nuk përjashton të rinjtë që ingranohen në organizata politike rinore (ndonëse të pakta), apo direkt në parti politike tradicionale, duke nisur kështu rrugën e karrierës politike. Martin Luther King dhe Bill Clinton kanë qenë angazhuar në organizata rinie politike. Te ne rrugën e karrierës e kanë nisur direkt në parti politike, madje duke kërcyer në rangjet më të larta të saj Pandi Majko, Ilir Meta etj. Megjithatë duhet thënë se, sa i takon formës së organizimit, militantizmit a vlerave kulturore të të rinjve të angazhuar në politikë, në vendin tonë vazhdon të influencojë së paku në formë modeli i vjetër i kohërave të shkuara. Gjithsesi, me apo pa struktura bazë shumë aktive, si të kohërave më parë. Ndërkohë të rinjtë e angazhuar në politikë në fillimvitet ‘90, morën shpërblime ekstra nga më të lartat në politikë e në administratën shtetërore e në hierarkinë politike. Që nga pozicionet kryeministrore e deri në kryesimet partiake. Pa marrë parasysh mungesën e eksperiencës. Kjo u bë njëfarë mode në vendet e Ballkanit të fillimviteve ‘90, edhe për faktin se brezi i mesëm e i vjetër i politikës, që vinte nga angazhimet e lidershipet partiake të së shkuarës shihej jo rrallë si i dyshimtë a disi i damkosur nga regjimi i kaluar totalitar. Për rrjedhojë të rinjtë shiheshin me sy pozitiv e si të panjollosur. Në ditët e sotme, veç rilevimit të individëve të rinj në postet e larta politike shfaqet edhe fenomeni i përdorimit a aktivizimit të të rinjve si fasadë e rinovimit të partive a e retushimit të portreteve të liderëve të konsumuar. Stimulohet kështu aktivizimi formal në politikë i të rinjve ose krijimi i klisheve e përçimi i ideve e qëndrimeve të vjetra nëpërmjet fytyrave të reja. Një rast tipik është ai i Edi Ramës, përdorimi i të rinjve prej tij si fasadë partiake. Nga ana tjetër, imitimi identik i gjesteve, frazeologjisë së tij syresh, flet për një rini politike krejtësisht jokreative e nën dirigjimin unik të liderit partiak.
Pse duhet të përfshihen të rinjtë në politikë. Politika është shkenca e menaxhimit të vendit apo shtetit. Të rinjtë janë si gjaku i ri për organizmin dhe luftëtarë aktivë të ndërtimit të shoqërisë njerëzore, për nga vetë mosha, energjitë e dinamizmi. Për këtë arsye ata duhet të marrin përgjegjësi për drejtimin e vendit, duke u angazhuar në politikë. I riu duhet t’i bashkohet politikës edhe që ta përmirësojë vetë atë e jetën partiake apo atë politike. Ka gjithashtu më shumë të ngjarë në moshë të re, të hyhet me aspirata e ideale në politikë. Të vjetrit janë më të prirur të ruajnë zakonet e dogmat e vjetra dhe idealet vdesin me moshën në përgjithësi. Nganjëherë mendohet se të rinjtë janë gjaknxehtë e mund të sjellin violencën dhe rrugët e ashpra të zgjidhjeve në politikë. ‘I riu si veriu’, thuhet te ne. Por kjo varet mjaft edhe nga inspirimi e edukimi i tyre, niveli kulturor, familja, forma e qeverisjes e niveli i demokracisë së vendit ku jetojnë. Kështu një i ri i moshës 30-vjeçare, si diktatori aktual i Koresë së Veriut, me aventurizmin e tij rrezikon të sjellë pasoja për mbarë njerëzimin. Faktor këtu veç sistemit totalitar është sigurisht edhe mosha e re, aventurizmi e bravura e saj, pasi në përgjithësi edhe në regjimet më totalitare të kohërave të sotme, diktatorët me mosha më të mëdha janë më të rezervuar edhe për shkak të frikës e këndvështrimit realist të raportit të fuqisë së tyre ndaj asaj të botës demokratike. Në vendet me demokraci liberale ku pushtetet kontrollojnë njëri -tjetrin dhe karriera kalon gradualisht e natyrshëm nivele, shkallë formimi e mosha të caktuara, deri në arritjen e majave, ky aventurizëm është i pamundur pothuaj. Për rrjedhojë, temperamenti nganjëherë edhe i nxehtë rinor, në këto raste ka më shumë të ngjarë të sjellë vetëm ndikim e veprim pozitiv në politikë. Kur backgroundi është negativ, ka të ngjarë që edhe në vende demokratike angazhimi në politikë i të rinjve të sjellë, rrallë, edhe pasoja negative. Megjithatë, në përgjithësi për të patur një vend gjithnjë në zhvillim, me progres ekonomik, e të fokusuar në zgjidhjen e problemeve sociale, të rinjtë duhet të hyjnë në politikë. Ata kanë tjetër mentalitet, vizion, psikologji, reflektojnë të renë dhe ndryshimin. Të rinjtë janë të aftë të sfidojnë e kalojnë pengesat e vështirësitë, pa u fshehur pas sloganeve e dogmave. Gjë që realizohet më me zor nga ata që janë të lidhur a të fiksuar veç tek e kaluara a tek e tashmja e sigurt, tek status-quoja, e që i ruhen rrezikut. Cilësitë e të riut, fuqia mendore, temperamenti, vullneti, imagjinata, kuraja, motivimi, shpirti i aventurës, i duhen gjithnjë çdo vendi që kërkon progres.
Interesi i të rinjve për politikë. Sa janë të interesuar të rinjtë për politikën, e në veçanti për t’u pajisur me njohuri e kulturë politike? Në vitin 1950, të rinjtë amerikanë ishin mjaft pasivë në aspektin e pjesëmarrjes në proceset politike. Në vitet e fundit, nga një anketë, vetëm një në tre të rinj amerikanë shfaq interesa të tilla. Pjesa tjetër ka interes më shumë për sportet e zbavitjet sesa për politikën e të rejat jashtë vendit. Nga njëra anë kjo vlerësohet si neveri e të rinjve karshi politikës e imazhit të saj, por të mos harrojmë të dyja anët e medaljes. Indiferenca karshi politikës sjell sklerozimin e saj, sepse gjithnjë duhet që dikush të trashëgojë e çojë përpara edhe politikën si pjesë e kulturës njerëzore, sado problematike por të domosdoshme për funksionimin e shoqërisë. Kjo duhet filluar që nga procesi më elementar i pjesëmarrjes në votime të rinisë dhe deri në angazhimin e saj maksimal si aktor politik. Po në Shqipëri? Kohët e fundit vërehet një pjesëmarrje disi më e madhe e të rinjve në politikë, deri në angazhime konkrete partiake, por duhet bërë dallimi midis idealizmit, dëshirës e motivimit për të ndërtuar të renë; e pragmatizmit formësuar e edukuar tek disa të rinj vitet e fundit, sipas të cilit, pjesëmarrja në një parti politike sjell përfitime të mëdha në aspektin material, pozicione komode pune, poste të larta në administratë publike e deri në lavdinë aq të dëshiruar nga i riu arrivist. Këtu lind nevoja për t’u dhënë të rinjve njohuri dhe shprehi politike si fillim e më pas nxitje për angazhim. Faktet tregojnë se tek ne ka mjaft të rinj që nuk kanë as njohuritë më elementare lidhur me mënyrën e votimit, le më pastaj për mënyrën sesi mund të realizohen ndryshimet politike a si e ndryshon politika vendin. Më të kultivuarit syresh, kur pyeten se si mund ta përmirësojnë edukimin a pjesëmarrjen në politikë, angazhimin qytetar a pjesëmarrjen në demokraci, pranojnë shumë, shumë aktivitetet praktike a përfshirjen mes shembujsh konkretë. Zor të arrihet në formime të tipit se si të rinjtë mund të arrijnë të realizojnë ndryshime politike ose së paku të ndikojnë disi tek politika në favor të interesave të grupmoshave të cilave u takojnë. Pjesa teorike e formimit ende pothuaj nuk përfillet. Kështu p.sh, aktivitetit politik e shoqëror i Albin Kurtit është shumë më i prirur të imitohet si model praktik nga disa të rinj në Shqipëri, se sa si model pune a formimi të mëparshëm teorik. Nga ana tjetër të rinjtë duan arsim, punë, para, dëfrim, por ndryshe nga vendet e zhvilluara, mundësitë për këto tek ne e në vendet në zhvillim janë të pakta. Po kështu janë më të pakta mundësitë për shpalosje talenti, shfrytëzim potenciali etj. (Në fillimvitet ‘90 u angazhuan më shumë pragmatistët me reminishenca nga pjesëmarrja në grupet e organizatat rinore të kohës së Enverit, militantët e pasuesit e tipit të vjetër etj). Sot angazhimi rinor politik lidhet më shumë me ato forma e qëllime, mishërimin e të cilave të rinjtë e shohin tek vërsnikët që përfitojnë mjaft nga angazhimi politik në aspektin e famës, atë material etj.
Rinia politike: fenomeni i të rinjve në politikë (II)
Prof.Dr. Ylli Pango
Rritja e angazhimit politik e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë.