ME KË FLET O NJERI?
(kur nuk njeh njeriu njeriun)
…I formatuar, i kuadratuar, i bombarduar. Ekranesh a sloganesh i gjymtuar. Produkt gjysmë i gatshëm: Njeri i sotshëm i vendit tim...Ti shpesh nuk flet me si-vëllanë tënd. Me njeriun që ke përballë. Ti flet e ashtu sillesh, me përfytyrimin tënd për të...Me idenë që ke krijuar. Me ato çka ke parë a dëgjuar nga të tjerë për të. Me përpunimin vulgar thashethemor, mediatik : Më të cekëtin e më formalin e gjykimeve të njeriut për njeriun
Ti flet e ashtu sillesh, jo me njeriun. Por me subjektiven, imagjinatën tënde, të cekët, të zbehtë, shpërfillëse për të vërteten, të thellën. Atë që nuk duket po që është me e madhe madje edhe se e tëra me gjithë formën e saj. Tejet më e madhe se mbështjellja a veshja, modeste, ulëritëse a e përçudnuar. (Gjithsesi). Shumë më e madhe se volumi i lëvozhgës së zgavërt, stisur e qëndisur nga të tjerë, e ca më tej nga përfytyrimi yt i gabuar.
Ti s’flet kurrë me të. S’do e njohësh kurrë atë. Njeriun. Të vërtetën a të vërtetin. Të paktin, të mbeturin vërtet njeri, jo rrallë pa mbrojtje dhe nga vetë vetja e tij. Vete e paaftë të bëjë hipokritin…
( Shkëputur nga libri “ME KË FLET O NJERI”. Këtë libër mund ta hapni në çdo faqe e të lexoni. Pa qenë nevoja të keni lexuar faqe paraardhëse. Si jetën. Ky është “sekreti” i tij)
Po e risjell këtë lloj sekreti pas 30 vjetësh. Që nga viti 1992. Atëhere ishte “sekret” vetëm i librit RRENOJA. Eksperiment letrar me këtë libër botuar aso kohe. Një libër për katrahurën e Shqioërisë së vitit 1991. Gjysmen e atij libri aso kohe, e botoi i ndjeri Bardhyl Londo në gazetën “Drita”.
Libër që mbeti në terr. Edhe kohrat të tilla ishin.
Kopertinën ja pat bërë EDI RAMA. E ndrrova e ja dhashë ta bënte Stefan Taçit. Atë kopertinë ka që atëhere. Ndofta gabim bëra. Pragmatikisht po. Sot “RrËNOJA” do ish shitur ndofta mijra kopje, qoftë edhe për kopertinën. Nuk di të bëj e nuk kam bërë kurrë biznes