Te vegjlit e mi

Koment (review) nga Thomaidha Tanuçi (Poete):

Një libër i lindur nga dashuria, nga dorëzimi i vetes në qashtërsinë e saj, gjë që nuk do të ndodhte nëse Zoti, Ati ynë, nuk do t'i kishte bërë prani engjëjt njerëz, për të cilët dhe vet autori ndihet i paplotësuar në përshkrimin e tyre. Kur e pamundura bëhet e mundur, vjen si mrekulli dhe lutesh që kjo ndjesi të mbetet e përjetshme.
Ajo e ruan madhështinë e saj në gaz e dhembje, në frikëra, kujdesje, ëndrra që paraprijnë ngjarje dhe të papritura.
Marina dhe Danja, krijesa të mahnitshme hyjnore në pragun dhe zemrën e një bote ndryshe, pikturë e gjallë dashurie, sjellë prej Perëndie.
Një histori e thjeshtë në dukje, një mama, një "paba" dhe bir shkruar me frymë hyjnore.
Do të thosha: "Një himn i vërtetë për njeriun, shkruar me stil dhe gjuhë që të mahnit", por këtë e tha para meje miku ynë i përbashkët Bardhy Londo i cili mungon kaq shumë.
Si pjesë e qenësisë së tij autori Ylli Pango nuk mund t'i shmangej fillit psikologjik e filozofik, në ngjarje, fenomene shoqërore e ndjesi. Me dashje ose jo, unë jam e bindur se ajo ka lindur natyrshëm si shtrat ku është ngjizur e jeton personaliteti i tij.
Duke iu referuar autorit në përkufizimin për jetën, unë e përqas këtë histori si "të bukur dhe të brishtë, mister i pamposhtur njerëzor, njëherazi e rrallë e tre njerëzve, tre brezave të ndryshëm, që fati e solli të jetojnë bashkë në këtë vend dhe këto kohëra të turbullta për vendet e tyre."